Sveçla për mediumin serb: Veriu i Kosovës ishte “El Dorado” e kriminelëve për 20 vite
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se veriu i Kosovës, ka qenë “El Dorado” për kriminelët gjatë 20 viteve të kaluara.
Sveçla në një intervistë për mediumin serb “N1”, ka thënë se në veri ka kriminelë që janë bërë multimilionerë për shkak të veprimtarisë kriminale, që sipas tij, u tolerua për më shumë se 20 vite.
“Duhet të kuptojmë një gjë, ajo zonë ishte si El Dorado për kriminelët. Kemi kriminelë që janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër apo e mesme, falë veprimtarisë kriminale që tolerohet në atë zonë prej më shumë se 20 vitesh. Kam marrë dhjetëra, në mos qindra, ankesa nga qytetarët atje, të cilët ishin nën presionin e grupeve kriminale. Nuk është se grupet kriminale duan vetëm të pasurohen, por me sjelljet e tyre arrogante dhe banditeske janë pengesë për jetën normale atje. Prandaj, imperativi ynë është vendosja e ligjshmërisë atje”, ka thënë ai.
Sveçla në këtë intervistë ka folur edhe për ndalimin e hyrjes në Kosovë të gazetares ruse, Daria Aslamova.
“Dihet se ajo është pjesë e shërbimit inteligjent rus, një person që është shpallur persona non grata në Ukrainë, Moldavi dhe Turqi. Janë të njohura lidhjet e saj me eksponentë të politikës ruse. Prandaj, është bazuar në shumë informacione të tjera, dhe mendoj se ka qenë një vendim legjitim dhe korrekt i institucioneve të Kosovës, se ky person është i papranueshëm për Kosovën”, tha ai.