​Sveçla i prerë: Pa hezitim, do ta zbatojmë reciprocitetin nga 1 shtatori - NACIONALE

​Sveçla i prerë: Pa hezitim, do ta zbatojmë reciprocitetin nga 1 shtatori

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin për reciprocitet per targat dhe letërnjoftime nga 1 shtatori.

Ministri beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për ata.

Zbatimi i vendimit më herët, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimit dhe ligjit në atë zonë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale. Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha ai në një intervistë për Alsat M.

Sipas tij, zbatimi i këtyre dy vendimeve u shty për një muaj me qëllim që qytetarët e etnisë serbe në Kosovë të informohen sa më shumë, sa më drejt për këto dy vendime, derisa ka folur edhe për veriun e vendit, ku ka thënë se kanë realizuar disa aksione por që janë përballur edhe me strukturat kriminale të nxitura nga Serbia.

“Ne jemi të vendosur që sundimi i rendit dhe ligjit duhet të shtrihet dhe këtë e dëshmojmë çdo ditë me punën tonë. Dhe unë jam i bindur se ata edhe e kanë kuptuar se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që t’i nënshtrohen ligjit si çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, tha ai ndër tjerash.

Lajme të ngjashme