Supremja rrëzon kufizimin e paligjshëm për kualifikimet arsimore në pensione kontribut-paguese
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese.
Vendimi erdhi pas aprovimit të padisë ndaj Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në një konflikt administrativ.
Gjykata shfuqizoi një dispozitë që kërkonte që kualifikimet arsimore të jenë fituar para 1 janarit 1991.
Sipas saj, ky kusht nuk kishte bazë ligjore dhe tejkalonte autorizimet e përcaktuara me ligj.
Aktgjykimi thekson se e drejta për pension lidhet me kontributet dhe jo me kohën e arsimimit.
Gjykata e cilësoi kufizimin si arbitrar, joproporcional dhe diskriminues ndaj një kategorie pensionistësh.
Po ashtu, u vlerësua se dispozita cenonte barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike në sistemin pensional.