Supremja hedh poshtë ankesën e Listës Serbe ndaj kandidatëve për deputetë të partisë së Rashiqit - NACIONALE

Supremja hedh poshtë ankesën e Listës Serbe ndaj kandidatëve për deputetë të partisë së Rashiqit

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte miratuar certifikimin e dhjetë kandidatëve të subjektit “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” të Nenad Rashiqit për zgjedhjet e 7 qershorit.

Lista Serbe kishte kundërshtuar certifikimin duke pretenduar se disa kandidatë nuk i përkasin komunitetit serb. Në ankesë përmendeshin Alil Derlek, për të cilin thuhej se është i komunitetit boshnjak, si dhe Lazar Radulović, i cili sipas tyre deklarohet publikisht si malazez.

Megjithatë, Gjykata Supreme e ka vlerësuar ankesën si të pabazuar, duke theksuar se ankuesi nuk ka paraqitur prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të dëshmuar pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk janë pjesë e komunitetit serb.

Në arsyetimin e saj, Supremja ka nënvizuar se publikimet në portale apo artikujt mediatikë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për përcaktimin e përkatësisë etnike të kandidatëve. Gjykata gjithashtu ka theksuar se barra e provës i takon ankuesit dhe se pretendimet për shkelje ligjore apo kushtetuese nuk mund të mbështeten vetëm në supozime ose interpretime subjektive.

Sipas Gjykatës Supreme, vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve.

Lajme të ngjashme