“Superpuna” njofton që është bërë ekzekutimi i pagesës për afro 2 000 punëtorë
Platforma qeveritare “Superpuna” ka njoftuar se sot është bërë ekzekutimi i pagave për punëtorët që janë punësuar përmes kësaj platforme.
Në njoftim është bërë me dije se numri i të punësuarve përmes kësaj platforme gjatë muajve shkurt dhe mars është afro 2000.
“Superpuna njofton që është bërë ekzekutimi i pagesës për afro 2000 punëtorët e angazhuar përmes superpuna gjatë muajve shkurt dhe mars. Bizneset që angazhojnë punëtorë përmes superpuna duhet të kalojnë verifikimet si në vijim: Të deklarojnë punëtorët e angazhuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK); Të deklarojnë punëtorët në ATK me pagë të njejtë apo më të lartë sesa në shpalljen në superpuna; Të mos kenë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së”, është thënë në njoftim.
Platforma qeveritare ka sqaruar se subvencionimi i të punësuarve bëhet me një muaj diferencë.
“Rikujtojmë që subvencionimi nga Qeveria bëhet me një muaj diferencë, ngase deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri më datë 15 të muajit vijues të angazhimit. Pra, për punëtorët e angazhuar në muajin prill 🗓️, deklarimi në ATK bëhet deri më 15 maj”, është thënë në njoftim.