Sunaku e quan “qartazi qesharak” pretendimin e Putinit për zgjerimin e NATO-s
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak e ka quajtur “qartazi qesharak” një pretendim të presidentit rus, Vladimir Putin, se lufta në Ukrainë është rezultat i zgjerimit të NATO-s.
“Rusia kreu pushtim të paligjshëm e të paprovokuar të Ukrainës. Unë jam krenar që Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar fuqishëm me Ukrainën nga fillimi” – tha kryeministri britanik, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ne nuk mund të lejojmë që ky lloj i sjelljes të kalojë i pakontrolluar. Kjo e prek tërë sigurinë tonë” – shtoi ai.
“Tashmë e kemi parë ndikimin që e ka pasur kjo ndaj faturave të energjisë të secilit dhe për këtë arsye ne po punojmë ngushtë, jo vetëm me ShBA-në, por me aleatë përreth botës, për t’ia dhënë Ukrainës përkrahjen për të cilën ka nevojë për ta sprapsur pushtimin rus” – deklaroi shefi i qeverisë britanike.