Sulmi në Banjskë “dëshmon që shërbimet ruse janë tepër aktive” në rajon, thotë Jasmin Mujanoviq
Sulmi paramilitar në Banjskë të Zveçanit “tregon që forcat dhe shërbimet e inteligjencës ruse janë ende tejet aktive” në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë studiuesi boshnjak, Jasmin Mujanoviq në një intervistë për “The Geopost” ku ka komentuar dhe analizuar ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Për rusët, tha Mujanoviq, ngjarjet e Banjskës dëshmojnë se qëllimi i tyre është “hapja e një fronti të dytë, tretë ose katërt” kundër Perëndimit politik.
“Çfarë ndodhi në Banjskë në të vërtetë të kujton fazat e para të agresionit kundër Bosnje-Hercegovinës por edhe ndaj Republikës së Kroacisë më 1990 dhe 199”, vlerësoi ai.
“Pra, jam i bindur se nëse ky sulm në Banjskë do të kishte qenë i suksesshëm, nëse Serbia do t'i kishte arritur të gjitha qëllimet që donte të arrinte, ndoshta në këtë moment do të flitej për një të ashtuquajtur Republika Srpska, ‘Kosovë dhe Metohi’ do ta kishin quajtur. Edhe pse pjesa agresive ushtarake e formatit mund të mos jetë aq e theksuar për momentin, ajo është ende një kërcënim i madh politik”, ka thënë studiuesi boshnjak.