Sulmet e VV-së ndaj Supremes dhe Kryeprokurorit, AVONET: Kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë
Sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit Blerim Isufaj, rrjeti i OJV-ve, AVONET, i kanë quajtur të papranueshme dhe kërcënime të rrezikshme.
“Po ashtu, deklaratat denigruese të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës kundrejt vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e arkave fiskale janë të papranueshme dhe cenojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Institucionet shtetërore, në vend që të garantojnë zbatimin e ligjit dhe respektimin e vendimeve gjyqësore, po përdorin retorikë të papërgjegjshme me prapavijë politike”, u tha në reagimin e këtij rrjeti të OJQ-ve.
“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pakorruptueshëm. Çdo tentim për ta frikësuar apo diskredituar atë është sulm direkt ndaj demokracisë dhe interesit qytetar”, ka thënë AVONET.