Sulm me thikë në një shkollë në Gjermani, pesë të plagosur
Pesë nxënës janë plagosur nga një sulm me thikë në një shkollë të mesme në qytetin perëndimor gjerman, Wuppertal.
Policia gjermane tha se ka arrestuar një të dyshuar, për të cilin mendohet se gjithashtu është lënduar, raporton televizioni BBC.
Një mësuese tha se nxënësit ishin sulmuar me thikë dhe me një palë gërshërë, raportuan mediat gjermane.
Thuhet se adoleshentët në shkollën “Wilhelm-Dorpfeld” e barrikaduan veten nëpër klasë.
Një operacion i gjerë policor është duke u zhvilluar. “Nxënës janë lënduar” – thuhet në një deklaratë të policisë në rrjete sociale, ku më vonë u shtua se të gjithë nxënësit ishin të sigurt dhe terreni ishte pastruar.