Sulm masiv rus me dronë në Dnipro të Ukrainës, raportohet për të vrarë e të plagosur - NACIONALE

Sulm masiv rus me dronë në Dnipro të Ukrainës, raportohet për të vrarë e të plagosur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sulm masiv rus me dronë la të vrarë tre njerëz, përfshirë një fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë pësuan lëndime të mërkurën në mbrëmje në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, tha guvernatori rajonal.

Serhiy Lysak, guvernator i rajonit të Dnipropetrovskut, tha në rrjetin “Telegram” se 30 njerëz u lënduan, përfshirë pesë fëmijë. Gjashtëmbëdhjetë persona po trajtoheshin në spital.

Sulmi shkaktoi gjithashtu disa zjarre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryetari i qytetit Dnipro, Borys Filatov, tha se një sulm ndodhi vetëm 100 metra larg zyrave komunale. Ai tha, gjithashtu, se të paktën 15 shtëpi banimi ishin dëmtuar, si dhe një qendër banimi për studentë, një institucion arsimor dhe një fabrikë për përpunimin e ushqimit.

Në pamje të publikuara në internet u shfaqën një zjarr i madh dhe zjarrfikësit duke punuar në vendin e ngjarjes gjatë natës, si dhe automjete të djegura e ndërtesa me dritare të thyera e fasadë të dëmtuar.

Në rajonin verilindor të Kharkivit, guvernatori Oleh Syniehubov tha se një sulm raketor rus la të lënduar dy persona në qytezën Izium. Kjo qytezë ishte kapur nga trupat ruse në ditët e para të luftës më 2022, por ishte rimarrë nga trupat ukrainase më vonë po atë vit.

Lajme të ngjashme