Sulm masiv në Alabama të ShBA-së, katër të vrarë e 18 të plagosur
Së paku katër njerëz janë vrarë dhe 18 të tjerë janë lënduar gjatë një sulmi në Alabama të Shteteve të Bashkuara, tha policia amerikane.
“Shumë sulmues shkrepën shumë të shtëna ndaj një grupi të njerëzve” të shtunën vonë në zonën Five Points South të qytetit Birmingham, tha oficeri policor, Truman Fitzgerald, raporton televizioni BBC.
Policët i gjetën trupat e dy burrave dhe një gruaje në vendin e ngjarjes, ndërsa një burrë tjetër vdiq më vonë në spital nga plagët e shkaktuara nga plumbat, shtoi policia lokale.
Autorët besohet se i ishin afruar skenës me një automjet para se të dilnin prej tij dhe të hapnin zjarr. Asnjë i dyshuar nuk është arrestuar.
Fitzgeraldi shtoi se policia beson që të shtënat “nuk ishin të rastit dhe e kishin burimin nga një incidenti i izoluar, ku shumë viktima u kapën rastësisht nga të shtënat mes dy palëve”.
Komandanti rajonal i policisë, Scott Thurmond, citohet të ketë thënë se të shtënat mund të ishin rezultat i një komploti për vrasje me pagesë.
Thurmondi tha në një konferencë për gazetarë mbajtur të dielën se në mesin e të vrarëve ishte edhe personi që ishte në shënjestër.
Viktimat e tjera – të gjitha ishin duke qëndruar jashtë – deri më tani besohet se ishin zënë rastësisht mes të shtënave. Fitzgerali tha se katër të plagosur kanë pësuar plagë që ua rrezikojnë jetën.
Policia tha në një deklaratë se është duke punuar me FBI-në dhe me agjenci të tjera federale dhe se do të ofrojë shpërblim prej 5 mijë dollarësh për ata që ofrojnë të dhëna dhe se ka hapur një uebfaqe për dorëzimin e fotografive dhe videove nga incidenti./Nacionale