Sulltan Ibrahimi bëhet Mbret i Malajzisë
Sulltan Ibrahimi të mërkurën u emërua si mbreti i 17-të i Malajzisë, duke e bërë betimin në një ceremoni të zhvilluar në pallatin kombëtar në Kuala Lumpur.
Monarkia luan rol kryesisht ceremonial në Malajzi, por ndikimi i saj është rritur viteve të fundit, duke e nxitur mbretin që të shfrytëzojë kompetenca që përdoren rrallë për ta shtypur mungesën e stabilitetit politik, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas një sistemi unik të monarkisë, udhëheqësit e nëntë familjeve mbretërore të Malajzisë e marrin me radhë pozitën e Mbretit për çdo pesë vjet.
Sulltan Ibrahimi, 65 vjeç, e zëvendëson Al-Sultan Abdullah Sultan Ahmad Shah-un, i cili do të kthehet për ta udhëhequr rajonin e vet, Pahang, pas plotësimit të mandatit 5-vjeçar si mbret.
I njohur për koleksionin e tij të madh të veturave luksoze e motoçikletave, Sulltan Ibrahimi ka interesa të gjera biznesore, nga patundshmëritë deri te minierat.
Para emërimit, ai kishte thënë në gazetën “The Straits Times” se synon që të jetë monark aktiv dhe kishte propozuar që kompania shtetërore e naftës, “Petroliam Nasional”, dhe agjencia kundër korrupsionit t’i raportojnë drejtpërdrejt mbretit.