Suedia ndan edhe 680 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën
Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se ky shtet do t’i dhurojë Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë të rreth 7,1 miliardë kronave (682 milionë dollarë), përfshirë pajisjet dhe të holla të gatshme për blerje të armëve.
Kjo do të jetë vala e 15-të e ndihmave suedeze për Ukrainën dhe pakoja më e madhe deri më tani nga shteti i pasur i Evropës Veriore, duke e çuar në rreth 30 miliardë krona shumën e përgjithshme që është ndarë për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë rus më 2022, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne do të vazhdojmë që ta përkrahim Ukrainën aq gjatë sa të jetë e nevojshme” – tha në një konferencë për gazetarë ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.
Në pakon e re përfshihen municioni i artilerisë më vlerë të rreth dy miliardë kronave dhe artileria e aeroplanëve e pushkë, tha Suedia.
Për më tepër, në pako përfshihen edhe barka sulmuese të luftës e barka të tjera, si dhe armë nënujore si minat e dronët.
Si pjesë e pakos, Suedia ka ndarë edhe para të gatshme për blerjen e materialeve përmes fondeve ndërkombëtare për Ukrainën si dhe një miliard krona për blerjen e rreth dhjetë automjeteve të blinduara luftarake që do të jenë të gatshme për dërgesë më 2026.