Stuhia në ShBA i paralizon udhëtimet, mbi 8.000 fluturime të anuluara ose me vonesa
Kompanitë ajrore amerikane ende janë duke e marrë veten nga një stuhi e fuqishme dimërore që e preku pjesën verilindore të ShBA-së dhe që ndikoi në anulimin ose vonesa të më shumë se 8.000 fluturimeve të hënën.
Faqja për përcjelljen e fluturimeve, “FlightAware”, tha se 5.683 fluturime në Shtetet e Bashkuara u anuluan dhe 2.703 të tjera u shtynë, pasi më shumë se 11.000 të tjera ishin shtyrë ose anuluar të dielën. 2.000 fluturime të tjera janë anuluar për të martën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kompania “American Airlines” tha se ka qenë në gjendje që t’i rinisë operacionet në aeroportet “Washington Reagan National” dhe në Philadelphia.
Kompanitë “American Airlines”, “Delta Airlines” dhe “United Airlines” anuluan rreth 20 për qind të fluturimeve të tyre të hënën.
Stuhia solli borë prej 76,2 centimetrash në disa pjesë të verilindjes së ShBA-së.
Kompania për transportin hekurudhor të pasagjerëve, “Amtrak” anuloi dhjetëra linja trenash mes Nju-Jorkut dhe Bostonit si dhe në vija të tjera në verilindje. Disa shtete dhanë urdhra që vozitësit të mos dilnin në rrugë me automjetet e tyre për udhëtime që nuk janë thelbësore për shkak të borës së dendur.