Strukturat e LDK-së i dalin kundër qëndrimeve të Hotit, nënkryetarët në mbështetje të Abdixhikut
Strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kundërshtuar deputetin Avdullah Hoti, i cili tha të martën se LDK-së i duhet një lidership i ri.
Nënkryetarët e kësaj partie, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri, Doarsa Kica Xhelili dhe sekretari Imri Ahmeti kanë deklaruar se ky qëndrim është “qesharak dhe i pakuptimtë”.
“Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, ka deklaruar Gazmend Muhaxheri.
Doarsa Kica Xhelili tha se Abdixhiku ka “mbështetje të plotë” të strukturave të partisë dhe se ai mori partinë në rënien më të madhe historike dhe e kthehu në trendin më të madh të ngritjes.
Përderisa Lutfi Haziri e Imri Ahmeti deklaruan se LDK është e anëtarësisë së saj dhe jo funksionarëve.
“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Haziri.