Stërvitje ushtarake të Serbisë në kufi, Kurti: Është provim, bëhet fjalë për njësi që kanë trajnuar Radoiçiqin - NACIONALE

Stërvitje ushtarake të Serbisë në kufi, Kurti: Është provim, bëhet fjalë për njësi që kanë trajnuar Radoiçiqin

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti ka folur për stërvitjet ushtarake të Serbisë në kufirin me Kosovën.

Ai ka bërë me dije se këto stërvitje janë provokim i radhës i Serbisë.

Sipas tij, bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin e kryeterroristin Milan Radoiçiq.

“Ky është një provokim i Serbisë, e cila dëshiron ta cenojë integritetin territorial të Kosovës, bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin e kryeterroristin Milan Radoiçiq, për vrasjen e policit heroit Afrim Bunjaku. Por tregon pafuqinë e tyre, sepse në Kosovë nuk ka struktura ilegale, të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin, paqen e sigurinë. E nga kjo pafuqi e tyre për të bërë diçka brenda Kosovës, paskan shkuar afër kufirit për tu përpjekur të demonstrojnë forcën. Do ta kem një adresim në mbledhjen e qeverisë”, ka thënë Kurti.

Para gazetarëve, ai ka thënë se për këtë çështje i kanë njoftuar edhe ndërkombëtarët.

“Është provokim, ne për këtë u kemi shkruar faktorëve ndërkombëtarë. Do ta kemi një adresim edhe në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës e cila mbahet sot. Por forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur, dhe këtë e bëjmë me forcën e sigurisë së Kosovës, me policinë e Kosovës, me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në veçanti me KFOR-in. Pra në njërën anë është e vërtetë që demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por në anën tjetër kjo është edhe shprehje e frikës edhe e pafuqisë së tyre që Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë, më e përparuar se kurrë, dhe nuk mund të na ndalin pavarësisht se çfarë planesh kanë apo çfarë dëshirash nuk ju treten ende”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme