Stavileci i ashpër me qeverinë: Tmerr, terr e ferr - NACIONALE

Stavileci i ashpër me qeverinë: Tmerr, terr e ferr

1 vit më parë

nga NACIONALE

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka qenë i ashpër me qeverinë Kurti, në një status të publikuar në Facebook.

Stavileci ka renditur dështimet e kësaj qeverie. Sipas tij, nuk është vetëm terr energjetik apo tmerri me krizat, por sipas tij Kosovën e ka kapluar edhe një ferr financiar.

Për këtë z. Stavileci prezanton disa shifra krahasimore, në mes këtij viti dhe vitit të kaluar.

Postimi i plotë i Stavilecit:

Në kohën më të keqe që ka përjetuar Kosova që nga paslufta, kur familjet, punëtorët dhe firmat kosovare po kalojnë nëpër krizat më të mëdha ekonomike e sociale, Qeveria e paaftë edhe për ta zgjidhur ndonjë problem e edhe për të dialoguar rreth atyre problemeve, ka keqshënuar edhe një rezultat tepër negativ financiar dhe buxhetor, i cili akoma më shumë do t'i thellojë krizat e qytetarëve të vendit tonë, duke ua ngulfatur edhe atë copë shprese se kjo Qeveri do të bëjë të paktën diçka më mirë në dobi të tyre.

Të hyrat buxhetore të tremujorit të dytë të këtij viti janë për afër 25 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkaq, shpenzimet e Qeverisë për këtë tremujor janë për afër 75 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.

Pra, tmerrit qeverisës e territ ekonomik, energjetik, arsimor, shëndetësor e social, iu shtua edhe ferri financiar e buxhetor.

Mjerisht, kjo Qeveri edhe pas 2 vitesh qeverisjeje dhe 3 vitesh ardhjeje në pushtet, tashmë katërçipërisht ua vërtetoi të gjithë qytetarëve të vendit tonë, se qenka e aftë vetëm për një gjë: të prodhojë e të thellojë kriza dhe të instalojë regjim sanksionesh e hakmarrjesh për qytetarët e vet.

Lajme të ngjashme