Sot zgjedhje në Irlandë, tri parti në garë të ngushtë - NACIONALE

Sot zgjedhje në Irlandë, tri parti në garë të ngushtë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Irlandezët votojnë të premten për të vendosur qoftë për mandatin e dytë të koalicionit të tanishëm të qendrës së djathtë, ose një koalicion me prirje majtiste të udhëhequr nga Sinn Fein.

Sipas sondazheve, pritet garë e ngushtë, pasi dy partitë kryesore në pushtet, Fine Gael, e udhëhequr nga kryeministri Simon Harris, dhe Fianna Fail, e udhëhequr nga ish-kryeministri Micheal Martin, si dhe partia Sinn Fein kanë rreth 20 për qind përkrahje secila, raporton gazeta “The Guardian”.

Prioritetet për të gjitha partitë janë kryesisht strehimi, kriza e kostos së jetesës dhe më pak imigrantët, duke lënë pak dallime mes tyre gjatë fushatës trijavore.

Fine Gael pretendon se një qeveri e udhëhequr nga Sinn Fein do të paraqiste rrezik ekonomik në prag të mandatit të dytë të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Kërcënimet e Trumpit me taksa ndaj eksporteve të BE-së dhe premtimi për kthimin e vendeve të punës brenda vendit shihen si rrezik i konsiderueshëm ndaj Irlandës.

Martin nga partia Fianna Fail, njëri nga udhëheqësit politikë me përvojën më të madhe në Irlandë, gjithashtu ka bërë shtytje për stabilitet ekonomik dhe u ka thënë votuesve se strehimi dhe mbështetja janë në mesin e prioriteteve të tij.

Për ta fituar shumicën në Kuvend, një parti duhet të ketë të paktën 88 ulëse. Pasi në zgjedhjet e kaluara asnjë parti nuk ka marrë më shumë se 38 ulëse, edhe pas zgjedhjeve të së premtes pritet ndërtimi i një koalicioni.

Lajme të ngjashme