Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës - NACIONALE

Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Sot, më 29 gusht 2025, në orën 23:59, mbyllet afati 38-ditor për regjistrimin e shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se qytetarët mund të aplikojnë deri sonte përmes dy mënyrave:

Online, përmes platformës elektronike të KQZ-së: diaspora.kqz-ks.org

Përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Sipas Elezit, vetëm shtetasit që janë regjistruar për votim jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë me postë në periudhën nga 17 shtator deri më 11 tetor 2025. Ai ka sqaruar gjithashtu se qytetarët e regjistruar për votim nga jashtë do të hiqen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës dhe emrat e tyre do të figurojnë vetëm në Listën e Votuesve jashtë vendit.

Në të kundërt, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë dhe nuk regjistrohen për votim me postë, do të mbeten në Listën e Votuesve brenda vendit. Këta persona do të mund të votojnë vetëm fizikisht në vendvotimet në Kosovë ditën e zgjedhjeve. Adresat e qendrave të votimit mund të kontrollohen në: qv.kqz-ks.org

Lajme të ngjashme