Sot mbahet afati i dytë i maturës shtetërore
Në 59 qendra të testimit në të gjithë Kosovën sot do të mbahet matura shtetërore.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se të shtunën do të mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore.
Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5.084 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.
Ministria po ashtu ka njoftuar se, në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MASHTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi.
Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 07 shtator.