Sot homazhe në Malishevë për policin Altin Kryeziu
Në Malishevë, mbrëmjen e sotme, do të organizohen homazhe për policin Altin Kryeziu, i cili humbi jetën si pasojë e lëndimeve të rënda të marra në një aksident gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ceremonia përkujtimore do të nisë në orën 19:30, pikërisht në vendin ku kishte ndodhur aksidenti.
Kryeziu ishte në krye të detyrës kur u godit nga një automjet. Për shkak të plagëve të marra, ai ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku pas disa ditësh ndërroi jetë.
Në homazhe pritet të marrin pjesë familjarë, kolegë, miq dhe qytetarë, të cilët do të nderojnë kujtimin dhe shërbimin e tij, si dhe do të shprehin mbështetje dhe solidaritet me familjen Kryeziu në këto momente të rënda.