“S’mund ta shes shtetin tonë”: Zelensky thotë se e refuzoi propozimin e Trumpit për mineralet e rralla
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u pyet të mërkurën për një propozim të homologut amerikan, Donald Trump, me të cilin ShBA-së do t’i lejohej marrja e një përqindjeje të mineraleve të rralla të Ukrainës, përfshirë litiumin dhe titanin.
Zelensky tha se e refuzoi propozimin, sepse në draftin e parë thuhej se Ukraina do të duhej t’u jepte Shteteve të Bashkuara 50 për qind pronësi të mineraleve të saj dhe nuk përmendeshin garancitë e sigurisë që presidenti ukrainas i kërkon, raporton televizioni BBC.
“Unë jam duke e mbrojtur Ukrainën, nuk mund ta shes atë, nuk mund ta shes shtetin tonë” – tha presidenti Zelensky.
Sipas tij, presidenti amerikan është duke jetuar në një hapësirë dezinformimi dhe citoi një sondazh, për të cilin ai thotë se tregon që 58 për qind e popullit ukrainas ka besim në të si president i Ukrainës.