Smajljaj: Ikja e qytetarëve nga Kosova nuk ndalet me parulla e lutje - NACIONALE

Smajljaj: Ikja e qytetarëve nga Kosova nuk ndalet me parulla e lutje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Politologu Avdi Smajljaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk po bën asgjë për të ndalur ikjen e qytetarëve nga Kosova.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ikja e kosovareve nuk ndalet me parulla.

“Ikja e qytetarëve nuk ndalet me parulla e as lutje e përgjërime për të mos ikur. Përkundrazi. Atdheu ka nevojë për dashuri të vërtetë ndaj tij, e jo për parulla atdhedashurie. Qytetarët edhe mund të hamendësohen me parulla, por jo edhe atdheu, i cili ofron atë që mbjellin qytetarët e tij në te. Nuk ka gënjeshtër më të dëmshme, sesa gënjeshtra ndaj vetvetes. Ikja nga përballja me realitetin, faktet, të vërtetën, siç bëjmë ne, është tregues se ne gënjejmë vetveten”, ka shkruar ai.

Me tej, ai ka treguar se si mund të ndalet kjo valë e ikjeve të qytetarëve.

Hapi i parë (edhe pse tanimë i vonshëm) për t'u përballur me valën masive të ikjes, do të duhej të ishte kuptimi i drejtë i shkaqeve që i shtynë këta qytetarë të ikun nga vendi i tyre. Edhe të kuptuarit e forcave tërheqëse drejt vendeve ku shkojnë do të ishte ndihmues, edhepse aty ne mund të bëjmë më pak. Në bazë të shkaqeve shtytëse të kategorive të ndryshme të qytetarëve që ikun, institucionet, parlamenti, qeveria, shoqëria civile, e akterë të tjerë, do të duhej reflektuar dhe intervenuar aty ku janë defektet për të bërë ndryshimet e nevojshme, të cilat pastaj mund të reflektoheshin në krijimin e një ambienti ku të paktën do të zvogëlohej echoja e ikjes. Një qasje e tillë ka munguar dhe mungon. Valët e vazhdueshme të migrimit ne i shfrytëzojmë për politika elektorale. Kështu u bë në valën 2014-2015 e vazhdimisht, kështu ndodh edhe sot”, ka shkruar Smajljaj, duke e kritikua edhe opozitën për këtë çështje.

Lajme të ngjashme