Skema piramidale e bixhoz i paligjshëm, kërkohet paraburgim ndaj 5 personave
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim ndaj pesë të pandehurve për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Në një njoftim për media, bëhet me dije se të dyshuarit kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se nga koha e pa përcaktuar e deri më datë 12.03.2026, rreth orës 21:00 në Malishevë, saktësisht në lokalin e afarist “D…” i pandehuri E.B., në cilësinë e pronarit të lojërave, duke vepruar në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B., N.H., J.M., dhe Z.P., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë dhe marrin pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, në atë mënyrë që të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë në lokalin afarist e përdorin për lojëra të fatit” – thuhet në njoftim.
Tutje bëhet me dije:
“Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate të lojërave të fatit në funksion, ku në aparatin nr. 3 (Kajot) janë gjetur 20 €, në aparatin nr. 4 (Apex) 150 €, dhe në aparatin nr. 5 (Kajot) 70 €. Po ashtu, në çantën e pronarit E.B., janë gjetur 2,000 €, të gjitha të sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor” – thuhet tutje.