Situata me koronavirusin: Ministria e Shëndetësisë ka një apel për qytetarët
Nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës po apelojnë tek qytetarët që të jenë të kujdes-shëm e t’i respektojnë masat anti-Covid.
Kjo thirrje e MSH-së po bëhet në kohën kur në Kosovë javëve të fundit janë rritur ndjeshëm rastet me Covid.
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, Ministri Latifi u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin dhe t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim kundër COVID-19, duke përfshirë edhe marrjen e dozës së katërt, që është lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më parë”, thuhet në njoftim.
“Si pasojë e rritjes së rasteve të COVID-19, ka filluar të rritet edhe ngarkesa spitalore, prandaj Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me tre nivelet e kujdesit shëndetësor do të rris nivelin e mobilizimit dhe fuqizimit të kapaciteteve për t’iu përgjigjur kësaj situate. Gjithashtu, do të fuqizohet edhe bashkëpunimi me komunat dhe shtabet emergjente komunale”, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.