Sipas SBASHK-ut, 70 për qind e shkollave nuk kanë mbajtur mësim sot
Sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), këtë të shtunë nuk ka pasur fare mësim në 70% të institucioneve arsimore fillore dhe të mesme të ulëta.
Sipas SBASHK-ut, në shkollat e tjera nuk kishte dëshmi të një procesi mësimor për shkak se kishte shumë pak fëmijë të regjistruar në to.
“Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre”, thuhet në komunikatën për media.
Për të punuar së bashku dhe për të arritur një marrëveshje miqësore për orët e humbura gjatë grevës, MESTI, sipas SBASHK-ut, duhet urgjentisht të takohet me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, kolegjiumit të drejtorive komunale të arsimit, Këshillit të Prindërve, dhe SBASHK në fillim të javës së ardhshme, shkruan Telegrafi.
“Nëse nuk veprohet kështu, atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”.