Sinjali: Vëllai i Haxhi Avdylit me pushkë ia lëndon aksidentalisht djalin këtij të fundit
Naser Avdyli, vëllai i deputetit të zgjedhur Haxhi Avdyli nga Lista e Vetëvendosjes, para rreth dy javësh ka plagosur nipin e tij, djalin e Haxhiut, me një armë ilegale. Rasti dyshohet se ndodhi aksidentalisht, por megjithatë për këtë incident nuk njoftoi Policia, as në raportin 24 orësh e as me ndonjë njoftim të veçantë, raporton Gazeta Sinjali.
Prokuroria Themelore në Prizren tashmë e ka konfirmuar rastin dhe Sinjali sjellë detajet.
Bazuar në informacionet që posedon Gazeta Sinjali, incidenti ka ndodhur më 7 mars, kur i dyshuari Naser Avdyli qëlloi aksidentalisht me një pushkë ajrore nipin e tij.
Fatmirësisht, viktima shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa Policia në Prizren u njoftua për rastin.
Nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se lidhur me këtë rast është iniciuar hetimi ndaj të dyshuarit në drejtim të dy veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.