Sindikata e RTK-së paralajmëron masa nëse pagat vonohen
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar masa të menjëhershme nëse pagat nuk ekzekutohen brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor.
Në reagimin e saj, sindikata kërkon përgjegjësi nga menaxhmenti dhe bordi i RTK-së, duke paralajmëruar veprime sindikale dhe ligjore për mbrojtjen e punëtorëve dhe funksionimin e transmetuesit publik.
“Është jetike që të gjendet zgjidhje urgjente financiare, qoftë përmes bashkëpunimit me bankat, hapjes së një overdrafti të përkohshëm apo çdo mekanizmi tjetër të mundshëm, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga”, thuhet në njoftim.
SPERTK i ka bërë thirrje edhe Qeverisë në detyrë të ndërhyjë si në gusht, kur ndau 2.5 milionë euro për RTK-në. “Është shqetësuese dhe e papranueshme që mediumi i vetëm publik në Kosovë po lihet pa buxhet... ndërsa rrezikohet jetesa e mbi 700 familjeve”, thuhet më tej.
Sindikata kujton se, ndonëse në vend po flitet për rritje pagash, punëtorët e RTK-së përballen me mungesë buxheti për pagesat bazike dhe kërkon nga Kuvendi zgjidhje të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e situatës së gushtit, kur pagat u vonuan.