Sindikata e Mjekëve nuk e përkrahë grevën e BSPK-së
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuartë enjtën për shpalljen e grevës së përgjithshme nga 25 gushti.
Sipas kryetarit, Atdhe Hykolli, greva do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat e tyre, siç është edhe ajo e 100 eurove shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Por këtë grevë nuk po e përkrahin Sindikata e Mjekëve të Kosovës.
Mospjesëmarrjen në këtë grevë e ka konfirmuar drejtuesja e sindikatës, Tevide Imeri.
Ajo ka sqaruar se në takimin e BSPK-së prej nëntë sindikatave, vetëm 3 kanë qenë pro grevës.
“Në takimin që e kemi mbajtur në kuadër të BSPK-së, aty ku jemi prezent 9 ose 11 sindikata gjithsej, 3 kanë qenë pro grevës, na tjerat kundër – për arsye se kërkesa e SBASHK-ut, ka qenë për 100 euro deri në implementim e Ligjit për Pagat”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.
Ajo ka treguar se punëtorët shëndetësorë i marrin 60 euro shtesë, dhe sipas saj për 40 euro të tjera në mënyrë që të bëhen 100, kanë refuzuar të futen në grevë.
“Plus Ligji për Pagat pretendohet se në shtator do të vjen në parlament, siç e patë që erdhi në Qeveri, dhe të shohim pastaj”, ka thënë tutje Imeri.
Kryetarja e Sindikatës, ka zbuluar që pasi ta shohin saktësisht çfarë do të përfshijë Ligji i Pagave, dhe nëse do të jenë të pakënaqur, atë herë do të protestojnë në formën e tyre.
“Në qoftë se me të vërtetë jemi të pakënaqur sigurisht që ne grevën e kemi të vetmen armë që luftojmë për të drejtën e punëtorëve”, tha ajo, duke ritheksuar se “për momentin s’e kemi pa të arsyeshme të jemi në grevë”.