Sinani: Vuçiq refuzon përfshirjen e shqiptarëve të Preshevës në institucione
Ardita Sinani e cila ka qenë kryetare e Preshevës, e këshilltarja e Kurtit, ka shkruar në lidhje me mënyrën se si po “operon” Vuçiq me shqiptarët në Preshevë.
“Emërimi nga ana e Qeverisë së Serbisë i ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, për kryetar të Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë është edhe një dëshmi e rradhës se ky shtet vazhdon të jetë shumë larg vlerave demokratike.” – ka shkruar ndër të tjera Sinani.
Tutje ajo ka thënë se është paradoksale se si Vuçiq, po i nxit serbët e Kosovës t’i lëshojnë institucionet në Kosovë, e në anënë tjetër refuzon t’i përfshij shqiptarët në Preshevë. Krejt kjo sipas Sinanit është politikë e viteve 90. Sipas Sinanit kjo lloj politike çon në urrejtje të popujve të tjerë, duke kujtuar se kjo politikë sipas saj ka sjellur krimet më çnjerëzore.
E plotë:
Emërimi nga ana e Qeverisë së Serbisë i ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, për kryetar të Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë është edhe një dëshmi e rradhës se ky shtet vazhdon të jetë shumë larg vlerave demokratike.
E degradim i skajshëm është pastaj është emërimi nga ana e kryetarit të sapozgjedhur të Trupit Koordinues të Nenad Mitroviqit në detyrën e drejtorit të këtij institucioni, përfaqësuesit të degës së SNS për Bujanoc.
Pra, me pak fjalë, një qeveri me kryeministër e president nga rradhët e SNS zgjedh për kryetar një anëtarë të SNS dhe për drejtor një përfaqësues lokal të SNS.
Edhe pse ky organ në bazë të Marrëveshjes merr obligim nga Qeveria e Serbisë të afirmoj të drejtat e shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, qeveria serbe e trajton si organ partiak.
Duke shkelur kështu Marrëveshjen mbi parimet e riorganizimit dhe rekonstruimit të Trupit Koordinues të vitit 2009, të nënshkruar nga Qeveria e Serbisë, përfaqësuesit politik shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe nga OSBE.
Me Marrëveshjen për riorganizimin e Trupit Koordinues parashihej para së gjithash inkuadrimi i kuadrove të pakicës shqiptare nga tri komunat e Luginës së Preshevës nga sferat e rëndësisë jetike në punën e këtij organi qeveritar.
Prandaj emërimet e kryetarit dhe të drejtorit të shërbimit të Trupit Koordinues, mund lirisht të quhen instalim në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e vitit 2009 dhe në kundërshtim flagrant me përqindjen reale, qoft edhe nga Regjistrimi i fundit i popullësisë.
Është paradoksale që partia shtet, SNS dhe Aleksandar Vuçiq nxit serbët e veriut të Kosovës që t’i lëshojnë institucionet e Republikës së Kosovës, e në anën tjetër refuzon me çdo mjet përfshirjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucione shtetërore.
Janë të pashërueshme qëndrimet radikaliste që zanafillën e kanë në vitet e ’90.
Vite ku si kriter për të qenë sa më lartë në hierarkinë shtetërore të ish-Jugosllavisë ishin: urrejtja sa më e madhe e kombeve dhe kombësive tjera, ngritja në piadestalin e popullit hyjnorë të kombit serb, gatishmëria për të qenë në shërbim të një politike që për arritjen e synimeve politike nuk kursente popujt tjerë as nga krimet çnjerëzore.