Sinani dënon vandalizmin e posterit të Komandant Lleshit në Bujanoc: Sulm ndaj krenarisë kombëtare
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka dënuar veprimin vandal të kryer ndaj posterit të Komandant Lleshit në Bujanoc, ku një person i maskuar është filmuar duke e dëmtuar atë.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Sinani e ka cilësuar këtë akt si një sulm të qëllimshëm ndaj figurës së rezistencës kombëtare në Luginën e Preshevës.
"Sulmi ndaj figurës së Komandant Lleshit është një sulm i ulët ndaj gjithë krenarisë sonë kombëtare në Luginë!
Të sulmosh një emër që përfaqëson rezistencën dhe sakrificën për liri, do të thotë të godasësh çdo shqiptar që beson në dinjitet, drejtësi dhe barazi.
Këto akte të turpshme janë rezultat i një fryme të vazhdueshme diskriminuese, që mbështetet jo vetëm nga qendrat e politikës serbe, por edhe nga zërat e tyre servilë në terren.
Drejtësia duhet të flasë, ky akt nuk guxon të kalojë në heshtje! Të zbardhet e vërteta dhe të ndëshkohen fajtorët!"