Si u vendos që ish-kryeministri Thaçi të lexonte Deklaratën e Pavarësisë? Rrëfen Çollaku
Ish-këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka zbuluar detaje mbi vendimin për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Çollaku tregoi se pati diskutime të gjera mes udhëheqësve institucionalë të asaj kohe lidhur me atë se kush do ta bënte shpalljen historike.
Çollaku theksoi se, përveç dëshirës së figurave të larta shtetërore për të marrë këtë moment historik, një faktor kyç në vendimmarrje ishte një diskutim me ambasadoren amerikane të asaj kohe, të ndjerën Tina Kajdanov.
Pas një takimi në zyrën e kryeministrit, u vendos që leximi i deklaratës t’i besohej Hashim Thaçit, i cili kishte një rol qendror jo vetëm në shpalljen e pavarësisë, por edhe në proceset e mëparshme politike.
Sipas Çollakut, ky vendim një zgjedhje e natyrshme duke pasur parasysh kontekstin politik dhe rolin e Thaçit në procesin e shtetformimit të Kosovës.
“Nga udhëheqësit e institucioneve të asaj periudhe ka pasë dëshirë që ta lexojë një deklaratë të tillë. Sigurisht që secili deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, e secili qytetar, do të dëshironte që ta kishte fatin historik që ta lexonte një deklaratë të tillë. Mirëpo, për të gjitha shkaqet që i përmendi Vlora, mirëpo, edhe pas një diskutimi goxha përmbajtjesor me ish-ambasadoren amerikane të atëhershme, të ndjerën dhe të madhen Tina Kajdanov, në zyrën e kryeministrit Thaçi, në një takim që e kemi pasur shumë të ngushtë është vendosur që përfundimisht që deklaratën ta lexojë kryeministri i atëhershëm, zotëri Hashim Thaçi”, ka thënë Çollaku në Rubikon të Klan Kosovës.
“Prandaj po ju them që u vendos në një takim të tillë dhe nuk është se është marrë për bazë, a udhët duhet ta lexojë kryetari i Kuvendit apo presidenti i Republikës së Kosovës, mirëpo, normalisht, për shkak edhe të fuqisë politike, edhe për shkak të rolit të tij jo vetëm në këtë proces por edhe në proceset e mëhershme, si të thuash, ishte e pashmangshme që një deklaratë të tillë të mos e lexonte kryeministri i atëhershëm”. – tha ai.