AP: Shtohen tensionet para tubimit proqeveritar në Serbi për të kundërpeshuar protestat masive të studentëve
Associated Press ka raportuar për rritje të tensioneve në Serbi këtë të shtune para protestës në mbështetje të presidentit , Aleksandar Vuçiq, i cili u zotua ta rimarrë kontrollin pas muajve të tërë të protestave masive kundër korrupsionit që kanë tronditur kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin.
Vuçiq, shkruan AP, po përpiqet të shuajë një lëvizje mbarëkombëtare të udhëhequr nga studentët universitarë, të cilët kërkojnë drejtësi për viktimat e shembjes së mbulesës së një stacioni treni në nëntor, ngjarje që la 16 të vdekur dhe për të cilën shumëkush fajëson korrupsionin e përhapur në institucionet shtetërore.
Studentët serbë u raportua se bllokuan mëngjesin e sotëm kryqëzimin para hyrjes në Novi Pazar për të penguar autobusët e SNS të nisen drejt Beogradit për tubimin "Nuk e japim Serbinë", por policia ndërhyri ashpër, duke i shtyrë dhe shkelur.
Mediat proqeveritare në Serbi ana tjetër kanë filluar të promovojnë pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve nga e gjithë Serbia në tubimin e sotëm “Nuk e japim Serbinë”, i cili pritet të mbahet në orën 19:00 në Beograd. Në këtë ngjarje do të mbajë fjalim edhe presidenti Aleksandar Vuçiq.