Shtime: Policia konfiskon armë dhe municion gjatë operacionit “Rrjeta”
Shtime, 4 dhjetor 2025 — Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë dhe municion në një aksion të zhvilluar pasditen e së enjtes në kuadër të planit operativ “Rrjeta”.
Rreth orës 17:00, patrulla policore ka pranuar informacion se një person dyshohej të posedonte armë ilegale. Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, zyrtarët kanë ndaluar të dyshuarin Rr. B. (33), i cili ka pranuar se mbante një armë të llojit Ekol me bocë ajri dhe municion rruza metalike.
Gjatë kontrollit në lokacion janë konfiskuar:
1 armë e llojit Ekol,
1 karikator,
3 bocë ajri,
295 rruza metalike kalibër 4.5 mm.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor të Shtimes, ku pas intervistimit është iniciuar rasti penal “Mbajtje në pronësi, kontroll ose përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt hetimore.
Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo aktivitet të dyshuar që mund të rrezikojë sigurinë publike, duke theksuar se çdo informatë trajtohet me konfidencialitet dhe reagimi është i menjëhershëm. Qytetarët mund të telefonojnë në 192 ose të përdorin aplikacionin "Lajmëro Policinë".