Shtatë të vdekur nga stuhia tropikale “Yagi” në Filipine
Vërshimet dhe rrëshqitja e dheut lanë shtatë persona të vdekur në Filipine të hënën, përderisa stuhia tropikale “Yagi”, në atë shtet e njohur si “Enteng”, solli reshje të dendura shiu në kryeqytetin Manila dhe në provincat afër tij, tha të hënën një zyrtar i agjencisë për fatkeqësi.
Në një komunitet kodrinor në Antipolo, në lindje të Manilas, tre persona e humbën jetën, përfshirë dy nxënës dhe një grua 27-vjeçare shtatzënë, kur rrëshqitja e dheut goditi dy shtëpi, sipas Relly Bernardo-s, drejtor i menaxhimit të fatkeqësive në qytet, raporton agjencia "Reuters".
“Kjo është zonë e ndjeshme ndaj rrëshqitjes së dheut dhe ne kemi qenë duke i inkurajuar për kohën më të gjatë me oferta për strehim në vende të tjera” – tha ai.
Sipas këtij zyrtari, katër persona të tjerë vdiqën në incidente të ndryshme të mbytjes së ujë në të njëjtën provincë, Rizal, duke shtuar se uji i vërshimeve kishte hyrë nëpër shtëpi.
Në Filipine zakonisht ndodhin mesatarisht 20 stuhi tropikale në vit, shumë prej tyre tajfune, ndërsa rrëshqitja e dheut është ndër shkaktarët kryesorë të viktimave.