Shpërthime të mëdha në Bejrut pas sulmeve ajrore izraelite - NACIONALE

Shpërthime të mëdha në Bejrut pas sulmeve ajrore izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bombardimet izraelite shkaktuan shpërthime të mëdha afër aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit gjatë një nate tjetër të sulmeve ajrore që në shënjestër e kishin Hezbollahun në kryeqytetin libanez.

Caku ishte i paqartë, por aeroporti kufizohet me Dahieh-un, që është bastion i Hezbollahut në Bejrut. Shtëllungat e tymit mund të shiheshin mbi qytet me ardhjen e agimit të premten, raporton televizioni BBC.

Ministria e Shëndetit Publik në Liban tha se 37 persona ishin vrarë nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në 24 orët e fundit, ndërsa 151 të tjerë ishin lënduar.

Në pjesë të tjera, ushtria libaneze tha se dy ushtarë të saj ishin vrarë në jug të vendit, përderisa forcat izraelite e vazhduan operacionin tokësor kundër Hezbollahut dhe i urdhëruan banorët e 20 qytezave e fshatrave të tjera që të evakuoheshin.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar, por tha se trupat e saj kishin vrarë luftëtarë të Hezbollahut afër kufirit. Në anën tjetër, Hezbollahu tha se kishte vënë në shënjestër trupa izraelite në të dyja anët e kufirit.

Dy sulmet fatale ndaj ushtarëve libanezë ndodhën vetëm disa orë mes njëri-tjetrit të enjten, në ditën e tretë të plotë të operacionit tokësor izraelit në Liban.

Lajme të ngjashme