Shpend Ahmeti flet për vendet e rezervuara: Nuk duhet të jenë përgjithmonë
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar lidhur me temën e Asociacionit.
Ai ka bërë një krahasim duke shkruar se vendet e rezervuara janë më jodemokratike se Asociacioni. Sipas tij, vendet e rezervuara nuk duhet të ekzistojnë përgjithmonë.
“Vendet e rezervuara janë më jodemokratike se sa çfarëdo asociacioni. Këtu nuk po flas për sigurinë nga ndryshimet kushtetuese që munden me i prek të drejtat e minoriteteve por për demokracinë e thjeshtë. Edhe me i fitu 50 përqind të votave, nuk mundesh me kriju qeveri sepse të duhen 61 deputetë, pra realisht të duhen 60 përqind të votave. Poashtu dikush me 40 përqind mund të krijoj qeveri sepse mund ti merr 20 deputetët e pakicave të pazgjedhura realisht dhe të bëjë qeveri”, ka shkruar Ahmeti.
“Ka shumë shtete që kërkojnë shumicë të kualifikuar për vendime të rëndësishme por edhe ato dy të treta janë të zgjedhura dhe përfaqësojnë votën e popullit. E dijmë pse egzistojnë ulëset e rezervuara por ato nuk duhet të jenë përgjithmonë. Ne duhet të besojmë në drejtat e pakicave vetë dhe ti mbrojmë ato e jo që mekanizmat e sigurisë të cenojnë demokracinë”, ka shkruar Ahmeti.