AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile dorëzojnë kërkesë në Kushtetuese për moszbatimin e afatit 30-ditor - NACIONALE

AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile dorëzojnë kërkesë në Kushtetuese për moszbatimin e afatit 30-ditor

1 orë më parë

nga NACIONALE

AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për ndërmarrjen e veprimeve sipas detyrës zyrtare lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25.

AVONET ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026.

Në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues dhe se, brenda këtij afati, duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit.

Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar.

Postimi i plotë:

AVONET njofton qytetarë e REpublikës së Kosovës, se kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026.

Në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues dhe se brenda këtij afati duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit. Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar.

Në këtë rast, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht 2026 nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj është caktuar për 8 gusht 2026, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Për këtë arsye, AVONET dhe organizatat e tjera nënshkruese i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.

Kërkesa është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën që ndiqet në rastet kur lind çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës. Në këtë kuadër, organizatat kanë kërkuar që, nëse konstatohet moszbatimi i Aktgjykimit KO124/25, Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e Aktvendimit për moszbatim, gjegjësisht për mospërmbarim dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë që i konsideron të nevojshëm sipas kompetencave dhe procedurave në fuqi.

Për qytetarët, kjo çështje ka rëndësi të veçantë sepse lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të zgjedhura dhe me respektimin e rendit kushtetues. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim për institucionet dhe garanton që proceset politike dhe institucionale të zhvillohen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe rendi juridik.

AVONET thekson se kërkesa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese synon që çështja e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe procedurave të përcaktuara me rendin juridik. Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Lajme të ngjashme