Shkullaku: Kurti është i gatshëm ta sakrifikojë pushtetin për parime - NACIONALE

Shkullaku: Kurti është i gatshëm ta sakrifikojë pushtetin për parime

3 javë më parë

nga NACIONALE

Analisti politik Armand Shkullaku mendon se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i gatshëm që ta sakrifikojë pushtetin në mënyrë që ta mbrojë parimin tek i cili ai beson.

Ai ka shtuar se si rezultat i mbrojtjes së parimeve nga ana Kurtit, është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së dokumenteve.

“Serbia de fakto dhe de jure njeh dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës për ata qytetarët që hyjnë në territorin e Serbisë”, tha Shkullaku në Klan Kosova, i cili mendon se Kosova ka bërë një hap përpara me këtë marrëveshje.

“Në këtë aspekt mendoj se kemi një hap përpara. Pra nuk kemi negociata për reciprocitet, por kemi zbatim të reciprocitetit. Tani kemi edhe sfidën e targave – mendoj që ka reciprocitet dhe mendoj se është një strategji shumë e mirë e qeverisë që ka arritur deri këtu. Mendoj që kjo është fryt i një politike që ka si orientim disa parime që i ka shpallur që në fillim”, tha ai.

Sipas Shkullakut, ka pasur disa ngjarje përpara kësaj situate ku gjithmonë presioni është bërë ndaj më të dobëtit.

“Kosova ka treguar se nuk është më faktor i dobët që pranon çdo gjë që i thonë ndërkombëtarët. Tani kemi një kryeministër që nuk i intereson të bëjë figurën e djalit të mirë me ndërkombëtarët ku pranon gjithçka vetëm që të rrijë në pushtet. Por siç ka treguar edhe në raste të tjera është i gatshëm që të sakrifikojë pushtet për të mbrojtur një parim tek i cili ai beson. A është i duhur ky parim? Kjo mbetet për t’u parë”, ka përfunduar Shkullaku.

Lajme të ngjashme