Shkon në gati 600 numri i të vdekurve nga vërshimet në Nepal dhe Tibet
Nepali dhe Kina i rinisën të premten operacionet që ishin pezulluar për një kohë të shkurtër në Himalajet e prekura nga vërshimet, pasi rreziku nga një liqen me ujë mbi nivelin normal u vlerësua i menaxhueshëm, duke e lehtësuar frikën për shkatërrime të reja të mundshme.
Shembja e një akullnaje të mërkurën shkaktoi një valë të madhe gurësh, akulli, balte e mbetjesh të tjera nëpër sistemin lumor malor të Himalajeve, duke lënë të paktën 579 të vdekur në Nepal dhe pesë në Tibet të Kinës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Numri i të zhdukurve në Nepal ka shkuar në 1.924, tha të premten autoriteti për menaxhimin e katastrofave. Të paktën 558 njerëz janë raportuar të zhdukur në distriktin Gyirong të Tibetit, përfshirë 260 shtetas të huaj, raportoi të enjten televizioni shtetëror kinez, CCTV.
Kryqi i Kuq tha se mbi 90 mijë njerëz vlerësohet se janë prekur nga kjo katastrofë natyrore. Vërshimet e shkaktuan formimin e një liqeni, uji i të cilit të premten filloi të derdhej në lumenjtë Lhende Khola dhe Trishuli.
Kjo rrjedhje nxiti panik dhe paralajmërime nga autoritetet në Nepal, duke çuar në pezullimin e operacioneve të shpëtimit për rreth tri orë. CCTV-ja raportoi se ky rrezik bëri që të gjitha automjetet dhe personeli shpëtues kinez të tërhiqeshin, gjithashtu.