Shkon në 30 numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni
Sipas zyrtarëve të prefekturës Ishikawa të Japonisë, tashmë 30 persona janë konfirmuar të vdekur pas tërmetit të fuqishëm.
Ky rajon ishte epiqendra e dridhjes me fuqi prej 7,6 shkallësh të hënën, raporton televizioni BBC.
Ekipet e shpëtimit po mundohen që të gjejnë e të nxjerrin më shumë të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave. Përpjekjet e tyre po pengohen nga rrugët që janë dëmtuar rëndë.
"Ne duhet të garojmë kundër kohës për të kërkuar e shpëtuar viktima të fatkeqësisë. Dëm shumë i gjerë është konfirmuar"- tha kryeministri i vendit, Fumio Kishida, pas një takimi të autoriteteve për masat pas tërmetit.
Rreth 30 mijë amvisëri mbetën në temperatura të ulëta gjatë natës për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike. Shumë qytete janë edhe pa furnizim me ujë.