Shkon në 24 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza
Predhat e tankeve dhe sulmet ajrore izraelite lanë të vrarë 24 palestinezë të mërkurën në Gaza, përfshirë shtatë fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Ky ishte rasti më i ri i dhunës që e minoi armëpushimin e arritur para gati katër muajve në enklavë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në mesin e të vdekurve ishte një mjek që kishte nxituar për t’u dalë në ndihmë viktimave të një sulmi në qytetin Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës, dhe më pas u vra nga një sulm tjetër që u krye në të njëjtin vend, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Sulme të tjera u kryen në Qytetin Gaza në veri, ku zyrtarët shëndetësorë thanë se u vra një djalë 5-muajsh. Këto sulme vijnë tri ditë pasi Izraeli e hapi pikëkalimin kryesor kufitar të Gazës me Egjiptin, hap i madh që parashikohej në marrëveshjen e armëpushimit të mbështetur nga Uashingtoni.
“Përderisa po flinim në shtëpinë tonë, tanku na goditi me predhë dhe predha e goditi shtëpinë tonë. Fëmijët tonë ranë martirë – biri im u bë martir, biri dhe bija e vëllait tim u bënë martirë… Nuk kemi të bëjmë me asgjë, jemi njerëz paqësorë” – tha Abu Mohamed Habouch, duke folur në funeralin e familjes së tij.
Ushtria izraelite tha se i nisi këto sulme si kundërpërgjigje ndaj zjarrit të militantëve palestinezë ndaj trupave izraelite që operojnë afër vijës së armëpushimit me Hamasin, duke thënë se një ushtar izraelit u plagos rëndë.