Shënohet përparim i rrallë në bisedimet për armëpushim në Gaza, sipas burimeve
Bisedimet mes ndërmjetësve dhe udhëheqësve të Hamasit në Kajro për zbatimin e një plani të paqes në Gaza, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, kanë shënuar përparim të rrallë, thanë të enjten disa burime të afërta me këto përpjekje, edhe pse një zyrtar izraelit tha se kushtet e propozuara nuk ishin të kënaqshme.
Më herët, nga sulmet izraelite të enjten u vranë të paktën gjashtë palestinezë në Gaza, përfshirë dy fëmijë, thanë mjekët.
Një zyrtar i Hamasit dhe një diplomat i afërt me bisedimet e Kajros thanë se diskutimet ishin “pozitive” dhe “duke shënuar përparim”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtari tha se përparimi do të testohet nga përgjigjja e Izraelit dhe nëse një gjë e tillë do ta lejojë arritjen e një akordi të gjerë.
Megjithatë, zyrtari izraelit, i cili refuzoi të identifikohej, tha se vendi i tij kishte refuzuar një propozim.
“Izraeli i kërkon çarmatosjen e plotë të Hamasit, përfshirë largimin e armëve nga Gaza, dhe demilitarizimin e plotë të Rripit [të Gazës] si parakusht për ndonjë përparim” – tha ky zyrtar.