Shembja e asfaltit në Prishtinë, pronari i ndërtesës ftohet për intervistim - NACIONALE

Shembja e asfaltit në Prishtinë, pronari i ndërtesës ftohet për intervistim

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Një pjesë e asfaltit është shembur në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, ndërsa autoritetet komunale dhe ekipet përgjegjëse kanë dalë menjëherë në terren për sigurimin e zonës.

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, deklaroi se ende është herët për të nxjerrë përfundime mbi arsyet e incidentit, por tha se aktualisht po ndërmerren hapat e parë për stabilizimin e situatës.

“Shkaku ende nuk dihet sepse është ende herët që të flitet. Policia është në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, me Inspektoratin e Ndërtimit, KEDS-i, ujësjellësi, pra të gjitha ekipet. Për momentin janë duke i marrë masat fillestare të sigurimit të vendit”, tha Fushtica.

Ai bëri të ditur se pronari i një objekti pranë vendit të ngjarjes është thirrur në Polici për intervistim dhe paralajmëroi mundësinë e nisjes së procedurave ligjore.

“Pronari i ndërtesës është thirrë në Polici për intervistim si shkak i këtij rasti. Realisht, sipas të gjitha gjasave do të inicohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme