Sheholli: Veshja e Radojçiqit si e Zelenskyt, kishte mesazh kinse veriu është në prag lufte - NACIONALE

Sheholli: Veshja e Radojçiqit si e Zelenskyt, kishte mesazh kinse veriu është në prag lufte

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka folur për paraqitjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, nga veriu i vendit ndonëse ai është i kërkuar nga policia.

Për Shehollin, veshja e Radioçiqit korrespondon me atë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që sipas tij, edhe me këtë ai dërgon një mesazh se veriu është në një prag lufte.

Sipas tij, paraqitja e Radoçiqit nga veriu i vendit lë përshtypje te asaj që ai dërgon mesazh se është udhëheqës i serbëve të Kosovës dhe, sipas tij, si i tillë, të gjithë serbët duhet t’i nënshtrohen mendimit të tij.

“Ajo që lë përshtypje është që Radoiciq me këtë fjalim që ka përmbajtje nacionaliste, dëshiron që popullit serb në Kosovë t’i çoj mesazh se Kosova po përgatit diçka dhe për këtë arsye ai është kthyer në Kosovë”, tha Sheholli në Klan Kosova.

Më tej, sipas Shehollit, menjëherë pas publikimit të videos së Radioçiqit nga veriu i vendit, sot më shumë se 20 mijë serbë të Kosovës e kanë përshëndetur deklarimin e tij përmes rrjeteve sociale, ndonëse fjalimi i tij, siç thotë ai, ka konotacion të tensionimit të situatës.

“Pra, në konceptin e asaj që ai është udhëheqës i serbëve të Kosovës, këtu dilemë s’ka sepse e ka fuqinë e jashtëzakonshme. Fjalimin e fillon ai “terrori i serbëve po fillon”. Natyrisht që kjo deklaratë e ka konotacionin e tensionimit të një situate në veri të vendit, sepse njeriu normal kur e sheh këtë e sheh si kërcënim në rrethanën e veriut”, është shprehur Sheholli