Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për veprime urgjente pas vrasjes së dy grave - NACIONALE

Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për veprime urgjente pas vrasjes së dy grave

3 orë më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka shprehur trishtim të thellë për vrasjen e dy grave, të cilat, sipas raportimeve, dyshohet se u vranë nga bashkëshortët e tyre brenda pak ditësh.

Due u ka shprehur ngushëllimet familjeve dhe të afërmve të viktimave.

“Këto vdekje tronditëse janë një kujtesë e dhimbshme se dhuna ndaj grave mbetet një çështje serioze dhe urgjente e të drejtave të njeriut. Një dhunë e tillë nuk duhet të tolerohet, normalizohet apo trajtohet kurrë si çështje private”, ka thënë Due.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe autoriteteve përkatëse që të sigurojnë hetime të shpejta, të plota dhe të paanshme, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vendosjen e përgjegjësisë së plotë për autorët e dyshuar.

Shefi i UNMIK-ut ka kërkuar gjithashtu intensifikimin dhe koordinimin e veprimeve për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e grave në rrezik dhe sigurimin e qasjes në kohë në mbrojtje, shërbime mbështetëse dhe drejtësi për të mbijetuarat.

Lajme të ngjashme