Shefi i EULEX-it reagon pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri: Do t'i shtojmë patrullimet në atë zonë
Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka reaguar pas sulmit të sotëm ndaj Policisë së Kosovës në Ujman.
Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se misioni që ai udhëheqë, do t’i shtojë patrullimet në zonën e Ujmanit, pas sulmit të sotëm ndaj Policisë të Kosovës.
Wigemark përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se këto sulme janë akte kriminale dhe duhet të ndalen menjëherë.
“Të shtënat e sotme në liqenin e Gazivodës/Ujmanit janë edhe një sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë akte kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. @EULEXKosovo do të shtojë patrullimet e saj në zone”, ka thënë ai.
Today’s shooting at Lake Gazivoda/Ujmani is yet another attack with fire arms on the Kosovo Police. Nobody was injured, but these attacks are not only dangerous, they are criminal acts and need to cease immediately. @EULEXKosovo will increase its patrols in the area.
— Lars-Gunnar Wigemark (@LarsGWigemark) August 6, 2022
Ndërkohë, lidhur me rastin, policia ka bërë me dije se kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri, të cilat siç bëhet e ditur ishin të njëpasnjëshme nga pjesa tjetër e liqenit duke goditur afër barkës së policisë.
“Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri. Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftim.