ShBA-ja u vë sanksione zyrtarëve të Autoritetit Palestinez dhe anëtarëve të PLO-së
Shtetet e Bashkuara të enjten vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve të Autoritetit Palestinez dhe anëtarëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), duke thënë se këto grupe po i minojnë përpjekjet për paqe, përderisa zyrtarë amerikanë po mundohen t’i shpëtojnë bisedimet për armëpushim në Gaza.
Me këto masa u parandalohet personave të shënjestruar marrja e vizave për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, tha Departamenti i Shtetit, edhe pse nuk paraqiti lista të ndonjë individi specifik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Departamenti i Shtetit tha se dy grupet palestineze kishin “marrë veprime për ta ndërkombëtarizuar konfliktin me Izraelin”, përfshirë rastet përmes Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dhe tha se të dyja vazhdojnë që ta “përkrahin terrorizmin”.
Përfaqësues të Autoritetit Palestinez dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës nuk mund të arriheshin për koment.