ShBA-ja njofton dy miliardë dollarë shtesë ndihma ushtarake për Ukrainën
Në një konferencë për gazetarë në Kiev, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, njoftoi të mërkurën dy miliardë dollarë shtesë ndihma ushtarake për Ukrainën.
Kryediplomati amerikan tha se mbështetja e re po vjen në “kohë vendimtare”, raporton gazeta “The Guardian”.
Ai foli në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba, duke shtuar se përkrahja e re do të drejtohet në investime në bazën industriale të Ukrainës.
Më tej, Blinkeni tha se ShBA-ja është e përqendruar në dërgimin e sistemeve raketore “Patriot” dhe formave të tjera të mbrojtjes kritike ajrore në Ukrainë.
Zyrtari i lartë amerikan gjithashtu paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe të sigurisë me Ukrainën brenda disa javëve, duke theksuar se puna e vështirë për këtë marrëveshje tashmë është kryer.