ShBA-ja i minimizon pretendimet se Hamasi po e shkel paktin e armëpushimit
Shtetet e Bashkuara i kanë minimizuar pretendimet se Hamasi është duke e shkelur marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin duke mos i kthyer të gjithë trupat e pengjeve të vdekura.
Vetëm nëntë prej 28 pengjeve të vdekura janë kthyer në Izrael deri më tani. Hamasi ka thënë se i nevojiten kohë dhe pajisje të specializuara për t’i marrë trupat e pengjeve të tjera nga rrënojat e Gazës, raporton televizioni BBC.
Dy trupa të pengjeve u kthyen të mërkurën dhe u identifikuan si Inbar Hayman dhe Muhammad al-Atresh, sipas një njoftimi që e bëri ushtria izraelite të enjten herët.
Përplasja për kthimin e pengjeve të vdekura ka bërë që Izraeli ta kufizojë sasinë e propozuar të ndihmave në Gaza, por dy këshilltarë të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë thënë se planet për demilitarizimin e enklavës dhe për themelimin e një qeverie të re kalimtare janë në proces e sipër.
Në një përditësim rreth zbatimit të planit 20-pikësh të Trumpit për paqen, këta këshilltarë u thanë gazetarëve se administrata amerikane deri më tani nuk beson se Hamasi e ka shkelur marrëveshjen duke mos dorëzuar më shumë trupa të pengjeve të vdekura.
Këshilltarët amerikanë argumentuan se Hamasi ka vepruar në mirëbesim përmes kthimit të të gjitha pengjeve të gjalla dhe është duke punuar me ndërmjetës të ndryshëm për t’i gjetur dhe për t’i kthyer mbetjet e të tjerëve.
Krahu i armatosur i Hamasit tha në një deklaratë se është i përkushtuar ndaj marrëveshjes, por se i kishte kthyer të gjithë trupat e pengjeve që ka qenë në gjendje t’i arrijë.
Një këshilltar i lartë amerikan tha se nxjerrja e të gjithë trupave nga Gaza mund të marrë javë për shkak të nivelit të shkatërrimit në enklavë.
Ai tha se mund të ofrohen shpërblime për civilët e Gazës që japin informata dhe se ekspertët turq pritet të bëhen pjesë e procesit të kërkimit.